Filluan ‘Mbrëmjet Strugane të Poezisë’

Me mbjelljen e fidanit në Parkun e poezisë për nder të laureatit të sivjetmë, poetit meksikan, Hoze Emilio Paçeko, dhe me leximin tradicional të poezisë “Malli për jugun” para Shtëpisë së poezisë në Strugë, filloi edicioni i 52-të i festivalit Mbrëmjet strugane të poezisë.

E premte, 23 Gusht 2013

Fituesi i “Kurorës së artë” për vitin 2013 dje arriti në Strugë. Sipas drejtorit Mite Stefoski, ardhja e Paçekos 74-vjeçar për ta marrë çmimin, është nder i madh për Festivalin. “Duke pasur parasysh moshën dhe gjendjen shëndetësore të Paçekos, mirënjohja më e madhe për ne është që erdhi vet personalisht për ta marrë çmimin”, deklaroi Stefoski.

Çmimi prestigjioz do t’i dorëzohet Paçekos të dielën, gjatë leximit tradicional “Urat”, ndërkaq portreti poetik i laureatit do të mbahet një ditë më parë, në kishën “Shën Sofia” në Ohër.

Festivali do të mbahet në Shtëpinë e poezisë në Strugë deri më 25 gusht, ndërsa dy ditët në vijim pjesëmarrësit do ta vizitojnë Shkupin dhe qytete të tjera në Maqedoni.

Në suaza të festivalit, të premten do të kumtohet edhe fituesi i çmimit “Vëllezërit Milladinovi” për vitin 2013, të cilin MSP e ndan për librin më të mirë poetik nga autorë nga Maqedonia ndërmjet dy festivaleve.

Në programin e Festivalit janë paraparë promovimi i librave nga edicioni “Plejadat”, ekspozita, simpoziume me temë “Poezia – lufta dhe paqja ndëmjet gjuhëve” dhe Nata tradicionale pa interpunksion. Përveç nga Maqedonia, në edicionin e 52-të të MSP do të marri pjesë rreth 50 poetë të shquar nga Bullgaria, greqia, Anglia, Gjermania, Egjipti, India, Japonia, Izraeli, Kina, Rusia, Polonia, Spanja, Kuba…

Leave a Comment