Sarandë, gjenden në Parkun Kombëtar të Finiqit 2 monedha të vjetra

SARANDË-Një bari 25 vjeçar nga Saranda i është drejtuar Drejtorisë së Monumenteve në Muzeun Arkeologjik të Sarandës, ku ka pohuar gjetjen e dy monedha të vjetra, në Parkun Kombëtar të Finiqit. Monedhat janë në madhësinë e një 10 dhe 20 lekëshi, në ngjyrë të florinjtë dhe bronxtë, ku në këtë të fundit dallohet një dhi duke vrapuar.

E hënë, 18 Shkurt 2013

Florand Kanushi, banor i fshatit Shijon, pohon se i ka gjetur monedhat në sipërfaqe të tokës, pas shirave të rrëmbyeshëm, pranë një ulliri. Disa ditë pas gjetjes së monedhave, bariu 25 vjeçar i është drejtuar Muzeut Arkeologjik të qytetit bregdetar, pasi ka vendosur t’i këmbejë ato kundrejt një shpërblimi.

Në vjeshtën e kaluar, në Parkun e Finiqit, ku u shënuan dëshmi të reja për periudhën e fund shekullit të IV-të dhe fillim shekullit të 3-të, para erës sonë, gërmimet arkeologjike të ekspeditës së përvitshme italo- shqiptare u ndërprenë.
Drejtuesi i ekspeditës, Prof Sandro de Maria, pohoi se në vazhdim pritet që të gërmohet, duke e thelluar në një informacion më të plotë shtresëzimin kohor. Profesori italian apeloi për më shumë kujdes nga komuniteti për pasuritë arkeologjike.

Qyteti antik 2300-vjeçar i Finiqit, me një mbrojtje natyrore, 7 km në lindje të qytetit të Sarandës, shtrihet 283 metra mbi nivelin e detit dhe nga kodra mund të kundrosh një panoramë të të gjithë luginës, deri te liqeni i Butrintit dhe bregdeti i zonës së Sarandës.

Jeta në këtë zonë fillon që në periudhën pre historike. Gjatë viteve, kjo zonë u transformua në një zonë qendër urbane, me akropol të fuqishëm. Foinike ishte qendra e Kaonisë, seli e koinonit të Kaoneve dhe kryeqytet i Koinonit të Epiriotëve, nga viti 232 p. erës së re, kur njohu një mirëqënie, për shkak të pozicionit të saj gjeografik.

Teatri i Foinikes kishte një kapacitet prej 12 mijë vendesh, i ndërtuar në shek 2 dhe 3 pas Krishitit. Verën e kaluar, teatrin e vizituan turistë të shumtë. Si zonë arkeologjike, Parku i Finiqit shtrihet në një siperfaqe 150 ha. Në rrezen perëndimore të kodrës shtrihet fshati i banuar Finiq dhe rruga e lidh këtë zonë me pjesën tjetër të luginës.
(e.m/atsh/BalkanWeb)

Leave a Comment