Nga Ornela MEMUSHI: Kur imoraliteti mbyt shoqërinë dhe shkatërron ekonominë

Pasojat e imoralitetit në shoqërinë tonë janë të mëdha, duke ndihmuar në lulëzimin e dukurive negative si korrupsioni, prostitucioni, droga, etj., çka lidhen edhe me veprimet kriminale, si vrasje të ndryshme, përdhunime dhe trafikime të qenieve njerëzore

12313510_1420967461266036_6039372552452271475_n-e1473330826821-1-1

Historikisht imoraliteti ka shkatërruar perandori të mëdha, si dhe shumë regjime qeverisëse. Kjo për faktin se pjesa më e madhe e shoqërisë nuk e pranon këtë fenomen. Mbivlerësimi i vetvetes tek disa persona, sidomos kur këta kanë poste drejtuese, dhe perceptimi se janë “Zot” në tokë, u shton epshin për vetëkënaqësi, duke u bërë pjesë e imoralitetit. Ndërsa grupe të ndryshme njerëzish bien në llumin e këtij fenomeni për shkak të përfitimit ekonomik të lartë brenda një periudhe kohore të shkurtër; madje rrezikshmëria e këtyre personave është mjaft e lartë, dhe ambicia e tyre krijon krime shokuese për shoqërinë.

Pasojat e imoralitetit në shoqërinë tonë janë të mëdha, duke ndihmuar në lulëzimin e dukurive negative si korrupsioni, prostitucioni, droga, etj., çka lidhen edhe me veprimet kriminale, si vrasje të ndryshme, përdhunime dhe trafikime të qenieve njerëzore. Këto dukuri funksionojnë si qeliza kancerogjene, të cilat mundohen të kapin pushtetin duke krijuar mbrojtje të aktiviteteve të tyre, dhe, në disa raste, presioni që bëjnë persona të caktuar ndaj politikëbërjes në vend ndikon tek krijimi i legjitimitetit të fenomeneve negative; përmendim këtu angazhimet e disa individëve për legalizimin e hashashit dhe prostitucionit. Në shumë raste, një pjesë e shoqërisë bie viktimë e këtyre fenomeneve për shkaqe të ndryshme, por më të rrezikuarit janë kryesisht femrat dhe adoleshentët, që rekrutohen, detyrohen apo rrëmbehen për të ushtruar aktivitete si prostitucioni dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Këto fenomene janë në shifra alarmante, dhe duhet këmbëngulur në institucionet përkatëse që kjo shoqëri ku bëjmë pjesë edhe ne të sigurojë jetën dhe moralin e çdo individi, dhe kryesisht të fëmijëve që bien pre e tyre. Asnjë nga ne nuk dëshiron që pjesëtarët e familjes, apo edhe të afërmit tanë, të bëhen viktimë e imoralitetit, por fatkeqësisht statistikat tregojnë se jemi një vend me përqindje të lartë të kriminalitetit, madje në disa vende europiane trafikimi i qenieve njerëzore të shqiptarëve arrin në masën 10%, ndërsa trafikantët e drogës në 35%, kryesisht në shtetin italian.

Indiferentizmi i shoqërisë shqiptare ndaj fenomeneve negative ka arritur në përmasa të frikshme. Filmimi i skenës së vjedhjes së dy milionë eurove me qetësinë më të madhe nga qytetarët në Qafë-Kashar dëshmon për degradimin e kësaj shoqërie. Vjedhjet e bankave tashmë po bëhen të zakonshme. Këto humbje parash në vlera të mëdha do të sjellin një varg pasojash zinxhir, që në xhepat e individëve të cilët kanë marrëdhënie me bankat e deri tek kreditimi i bizneseve. Bankat, do të bëjnë maksimumin e tyre, duke rritur komisionet dhe interesat e dhënies së kredisë për bizneset dhe individët, në mënyrë që t’i mbulojnë këto humbje dhe, sigurisht, të mos preken fitimet e tyre. Një kredi me interes më të lartë është kosto e papërballueshme për bizneset shqiptare, ku rreth 95% e tyre i përkasin kategorisë së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Fitimet marramendëse të sektorit bankar nuk e justifikojnë sigurinë e lartë të mbrojtjes së bankave dhe të transportimit të parave të qytetarëve të thjeshtë. Pagat minimale (bruto) prej 22.000 lekë të punonjësve të sigurisë janë qesharake në krahasim me riskun e tyre në punë. Jo vetëm në sektorin bankar, por edhe në fusha të tjera të bizneseve, shumica e punëdhënësve i paguajnë punonjësit me pagën minimale. Sipas të dhënave nga INSTAT-i, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, pra, gjysmën e të ardhurave të siguruara. Atëherë, cili është ai punonjës sigurie që merr një page minimale dhe do të ruajë paratë që i “beson” banka? Shoqëria shqiptare ka nevojë të menjëhershme për një kulturë të re pune, ku kapitali human vlerësohet për aftësitë që ka, për produktivitetin e punës, për riskun në punë, etj. Fenomenet negative, qofshin këto nga qeveritarë, gjyqtarë apo edhe qytetarë të thjeshtë, po e mbytin këtë shoqëri dhe po shkatërrojnë ekonominë shqiptare.

A mund t’i luftojmë këto fenomene?

Sigurisht që po, dhe për këtë gjë duhet të ndërmerren veprime me çfarëdolloj kostoje, duke filluar që nga ulja e tarifave të arsimit, hapja e sa më shumë vendeve për punësim, subvencionet për fermerët, si dhe shtimi i granteve për vetëpunësim në zonat rurale. Gjithashtu, ashpërsimi i ligjit me më shumë penalitete do të sillte kufizimin e të gjitha veprimtarive të jashtëligjshme. Në shoqërinë tonë morali nuk duhet të ketë çmim; është një dhuratë që vetë Zoti ia jep gjithsecilit prej nesh, edhe pse disa individë mundohen ta blejnë dhe ta shesin atë si objekt. Bashkësia shoqërore është shtëpia e madhe e një komuniteti, i cili është tregues i modelit të të jetuarit, dhe për komunitetet e huaja ne jemi shembull i keq si në mënyrën e zbatimit të ligjit, edhe në vendimmarrje. Parimi themelor i çdo njeriu të ndershëm është të kontribuojë në rutinën e përditshme për ta sensibilizuar shoqërinë dhe për ta orientuar atë drejt veprimeve ligjore, çka do sillte përparimin e shoqërisë si nga ana social-kulturore, ashtu edhe nga ana ekonomike. /tesheshi.com/

Leave a Comment