7 fakte mbresëlënës mbi Hatixhen, bashkëshorten e Profetit a.s

hqdefault

-Yasmina Blackburn

Shpesh perfshihem ne debate mbi çështjen e grave në Islam. Si vishemi. Si nuk vishemi. Çfarë mendojmë, nuk mendojmë apo duhet të mendonim. Debatoj mbi feminizmin. Çfarë është dhe çfarë nuk është feminizmi. Mendoj se kam krijuar armiqësi të vazhdueshme sepse nuk më intereson të përdor termin “feministe” për të etiketuar veten. Por nëse mund të biem dakord të paktën për një çast se ekziston një përkufim i qartë i fjalës “feminist”: jashtëzakonisht i qartë deri në presjen dhjetore të njëmiliontë, atëherë dua t’ju prezantoj me feministen e parë në Islam.

Emri i saj është Hatixhe bint Huajlid. Ajo ishte bashkëshortja e Profetit Muhamed a.s. Ajo është personi për të cilin mendoj kur përballem ose debatoj mbi çështje që lidhen me gratë sot. Ekzistenca e Hatixhes  është 1400 vjet më e hershme se e imja; dhe nëse arrij të paktën të përpiqem t’i ngjasoj karakterit të saj, do ta konsideroja jetën time si të suksesshme.

7 fakte që mund të mos i dini mbi Hatixhen r.a, këtë grua të jashtëzakonshme:

  1. Ajo ishte një biznesmene e suksesshme dhe e vlerësuar.

Hatixhja ishte vajza e një tregtari të njohur në mesin e kurejshëve, fisit që sundonte Mekën. Ajo trashëgoi zotësitë e babait të saj në një periudhë historike të rrezikshme dhe të sunduar nga meshkujt. Pas vdekjes së babait të saj, ajo mori drejtimin e biznesit dhe vijoi të tregonte mallra në qendrat më të rëndësishme tregtare të kohës, nga Meka në Siri dhe në Jemen, duke punësuar njeriun me karakterin më të lartë dhe më të guximshëm për të përshkruar rrugët e rrezikshme tregtare. Biznesi i saj ishte më i madh se i të gjithë fisit të kurejshëve së bashku dhe gjithashtu më i mirënjohuri për mallrat e cilësisë së lartë. Ajo kishte shikim të mprehtë dhe intuitë të lartë, dhe për këtë arsye fitoi epitetet Princesha e Kurejshëve (Ameerat-Quraish) dhe E Kulluara (Al-Tahira). E gjitha  kjo falë reputacionit të saj të lartë. Hatixhja e dinte mirë çfarë duhet të bënte me biznesin e saj, pa kompromentuar kurrë modestinë dhe  integritetin e saj për të  arritur sukses në një biznes të sunduar nga meshkujt. Ajo punësonte vetëm ata që mund të përmbushnin standarded e saj të larta.

  1. Ajo refuzoi shumë propozime për martesë

Duke qenë gruaja më e suksesshme, e pasur materialisht, por edhe në karakter, Hatixhja duhet të jetë përballur me shumë fushata këmbëngulëse nga meshkujt që kërkonin dorën e saj. Ajo ishte martuar dy herë para se të vendoste kurorë me Profetin a.s; nga të dyja martesat kishte fëmijë dhe të dy bashkëshortët e lanë të ve. Karakteri i saj i mprehtë e bëri të kujdesshme, prandaj nuk ishte aspak e gatshme të përballej me humbjen e dhimbshme të një tjetër bashkëshorti. Ajo vendosi të jotonte si e ve duke u kujdesur për veten dhe familjen, derisa…

  1. Ajo i kërkoi Profetit a.s të martohej me të

Dashuria vjen kur nuk po e kërkon, ose të paktën kështu thonë. Hatixhja mësoi mbi karakterin e mrekullueshëm të Profetit a.s, si dhe mbi zotësitë e tij në menaxhimin e karvanëve tregtarë ndërsa shoqëronte xhaxhanë e tij, Ebu Talibin. Ajo e punësoi atë në kompaninë e saj. Në atëbotë,  martesat ishin të domosdoshme edhe për të mbijetuar, dhe nuk bëheshin vetëm për dashuri siç mund të ndodhë sot. Hatixha nuk kishte nevojë për një bashkëshort që të kujdesej për të, ndërsa Muhamedi nuk zotëronte kushtet për të kërkuar bashkëshorte. Ajo e pëlqeu dhe ra në dashuri me të, dhe përmes një miku të tij i kërkoi që të martohej me të. Dhe ai tha po.

  1. Ajo ishte 15 vjet më e madhe se Muhamedi

Nëse historia e Hatixhes nuk i ka thyer akoma steriotipet mbi Islamin, ndoshta do të intrigoheni kur të mësoni se ajo ishte 40 vjeç kur u martua me Muhamedin. Ai ishte 25.

  1. Ajo ishte bashkëshorte ideale; ajo e tyrja ishte një histori e vërtetë dashurie

Martesa me disa gra ishte praktikë e zakonshme në Arabinë e asaj kohe, megjithatë martesa e Hatixhes dhe Muhamedit ishte monogame deri në vdekjen e saj pas 25 vjetësh. Profetësia e Muhamedit filloi gjatë martesës së tij me Hatixhen, kur iu shpallën ajetet e para përmes ëngjëllit Gabriel. Kjo përvojë e la Muhamedin të frikësuar, të tronditur dhe të vetmuar pasi askush nuk i besoi. Hatixhja e ngushëlloi bashkëshortin e saj dhe e inkurajoi në ditët më të vëshitira të jetës së tij. Ajo pati 6 fëmijë me të. Gjatë jetës së tij ai nuk deshi askënd tjetër më shumë se Hatixhen.

  1. Ajo ishte muslimania e parë

Hatixhja, nëna e besimtarëve, ishte personi i parë në tokë që pranoi Muhamedi si profetin e fundit të Zotit, së bashku me shpalljen që kulminoi me Kur’anin famëlartë. Ajo u përshëndet me selam (paqe) nga vetë Zoti dhe ëngjëlli Gabriel. Ajo hoqi dorë nga të mirat tokësore dhe e vuri veten në rrezik duke qëndruar përkrah Profetit a.s në përcjelljen e mesazhit Islam.

  1. Ajo e shkriu pasurinë për të varfrit

Në Islam, si pasuria edhe varfëria janë sprovë. Hatixhja ua falte fitimet e saj të varfërve, jetimëve, vejushave dhe të sëmurëve. Ajo ndihmonte vajzat e varfa që të martoheshin dhe u financonte pajën.
Hatixhja ishte një nga gratë më të jashtëzakonshme të historisë. Njëherë Profeti a.s tha se gratë më madhështore të njerëzimit janë: Hatixhe bint Huajlid, Fatima bint Muhamed (vajza e tij) , Merjem  bint Imran (Virgjeresha Mari) dhe Asija bint Muzahim (gruaja e faraonit). Hatixhja vijon të frymëzojë edhe sot e kësaj dite njerëzit që e  nderojnë për përkujdesjen ndaj Profetit të Islamit dhe për faktin se i tregoi botës çfarë është në gjendje të arrijë një grua e devotshme, modeste dhe kurajoze përmes sjelljes së saj. Shembulli që i la botës mbetet i përjetshëm

Leave a Comment