Rreziku i virtualitetit të shtuar

E enjte, 01 Tetor 2015

Zbulimet e fundit teknologjike, çasja e shpejtuar deri te informacionet e nevojshme, mënyra e lehtësuar e komunikimit përmes rrjeteve sociale dhe aplikacioneve falas që po shtohen dita-ditës, gjithsesi paraqesin një arritje pozitive për njerëzimin në kohët e sotme, duke i dhënë atij një impuls të madh drejt ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve të veta. Shrytëzimi i kohës, energjisë, resurseve… është një përparësi që “moda” e fundit elektronike i ofron njeriut modern, dhe si e tillë ajo duhet të shfrytëzohet në përditshmërinë tonë. Por, a është kjo, mirësia në vetvete pra, e tëra që vjen nga ky trend teknologjik në rritje, apo ekziston edhe ana tjetër e medaljes, rreziku për të cilin gjithjë e më shumë dhe më zëshëm po flitet e përflitet nëpër debate të ndryshme, në media dhe qarqe akademike, nga shfrytëzimi i tepër i internetit, rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të pafund?

Shkruan: Sumeje MURTEZI

Një realitet i tillë, sikur po vërejmë përditë e më shumë, është i pranishëm edhe në mjediset dhe familjet tona. 5Madje, për dallim nga vendet e zhvilluara, duket se “infektimi”, posaçërisht me rrjetet sociale, në rend të parë “facebook”-un, ka marrë hov më të madh në aspektin negativ, se sa pozitiv.

E vërtetë, “facebook”-u po na mundëson arritjen për shkurtë kohë deri te një lajm interesant, komunikimin me miq edhe në largësi, sigurimin e dijes rreth diçkaje që na tangon, por, në të njejtën kohë, po ashtu, po bën që ne të humbasim me orë të tëra, nga koha jonë e shtrenjtë, edhe në gjëra të kota, biseda banale, lojëra të pavlera, faqe palidhje. Pastaj, po na fut në rrjetin e rrezikshëm të një virtualiteti të çmendur, duke kufizuar komunikimin tonë, madje edhe me të afërmit, brenda “mureve” të improvizuara të dhomave të “chat”-it, duke “mbytur” në këtë mënyrë afërsinë tonë fizike dhe kontaktet e drejtpërdrejta. Gjithashtu, kur jemi te dija, duke na bërë dembelë të leximit të librave, gazetave e revistave, këtij burimi të rëndësishëm të diturisë dhe informacionit, përmes “gjetjes së kënaqësisë” në atë që ofrojnë faqe e portale të ndryshme, jo rrallë gjëra të paverifikuara si lajm e të pavërtetuara si shkencë. Kur kësaj t’i shtohet edhe një numër i konsiderueshëm i “burimeve” që ofrojnë postime të liga e materiale të ndyta, atëherë me të drejtë ngriten shumë pikëpyetje dhe njerëzit e kujdesshëm kanë filluar të alarmojnë për rrezikun që bartin me vete rrjetet sociale dhe për pasojat marramendëse të këtij “modernizimi kulturor”.

Në tërë këtë kaos virtual, edhe më brengosëse është situata me fëmijët, gjegjësisht zhytja gjithnjë e më e thellë e botës së njomë fëmijërore në moçalin e pasigurtë të virtualitetit, gjë që jo rrallë rezulton me pasoja negative nga më të ndryshmet. Ky “infektim” gjithnjë e më i madh i fëmijëve tanë me rrjetet sociale dhe lojërat e shumta online, për fat të keq, ndikon negativisht në zhvillimin e tyre psiko-fizik. Koha e gjatë e harxhuar nëpër telefonë e kompjuterë, me automatizëm ka si pasojë përkushtimin e pamjaftueshëm dhe lënien pasdore të mësimeve të shkollës. Dhënia e madhe pas virtualitetit, dëmton aftësitë e tyre komunikative, rrezikon socializimin e tyre të nevojshëm në shoqëri, bart me vete frikën e arsyeshme të keqpërdorimit të tyre nga njerëz të ligë e qëllimkëqinj që fshihen prapa maskave të llojllojshme…

E gjithë kjo duhet të na vetëdijësojë dhe nxisë për ndërmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e fëmijëve tanë nga “helmet” e kohës, gjegjësisht për shfrytëzimin racional të risive dhe mirësive që është duke sjellë me vete zhvillimi maramendës teknologjik i viteve të fundit.

Rolin kryesor në këtë drejtim padyshim duhet ta ketë familja, kjo vatër e parë edukative e llojit njerëzor, meqenëse pjesën më të madhe të kohës së vet fëmija e kalon në gjirin familjar. Prindërit janë ata që duhet të bëjnë një orar të mirëfilltë të angazhimeve të fëmijëve të tyre, duke vendosur një kohë të caktuar për secilin aktivitet fëmijëror dhe duke balancuar mes mësimit, argëtimit dhe pushimit, pa e liruar apo shtrënguar shumë asnjërën prej këtyre.

Shtylla e dytë dhe shumë e rëndësishme është shkolla, drejtoritë, arsimtarët dhe edukatorët, gjegjësisht vet procesi arsimor. Madje, si janë duke shkuar punët, mendoj se nuk do të jetë e largët dita kur do të paraqitet nevoja që në procesin arsimor të futet një lëndë e posaçme mësimore, ku nxënësit do të edukohen mbi mënyrën dhe nevojën e shfrytëzimit të matur dhe të arsyeshëm të internetit, rrjeteve sociale dhe gjithçkaje tjetër nga kjo fushë.

Faktori i tretë me rëndësi në këtë mision të shenjtë, vlerësoj se janë mediat, në radhë të parë ato elektronike, të cilat, përmes emisioneve të ndryshme arsimore dhe edukative, me profesionistë të fushave të ndryshme, pedagogjike, psikologjike, sociologjike etj., mund të kontribuojnë dukshëm në vetëdijesimin e shoqërisë mbi këtë dukuri dhe ofrimin e zgjidhjeve adekuate.

Konsideroj se është koha e fundit për një çasje serioze të faktorëve të lartëpërmendur ndaj virtualizimit gjithnjë e më të madh të fëmijëve tanë dhe tjetërsimit të tyre nga realiteti, përderisa nuk është bërë vonë, përndryshe pasojat mund të jenë të paparashikueshme dhe me një dinamikë të paimagjinueshme./aag-m.org/

Leave a Comment