Aktivistët e Facebook-ut!

E premte, 04 Shtator 2015

“Ju jeni populli më i dobishëm i ardhur për njerëzimin! Urdhëroni për të mirë, dhe ndaloni nga e keqja..”

Shkruan: Shqipe Palloshi

Ajlani na dhimbset, për refugjatët vajtojmë çdo ditë, për shpalljen si të pavlefshme të dëshmive nga përgjimet thisiritohemi (në fakt, s’u irituam shumë), përmbajtjet e pavlera të portaleve i kritikojmë, shtrembërimin e historisë sonë në libra e komentojmë tek tuk… and, log out. E kryejmë misionin e një dite!

Më duket mua, a ne shqiptarët (e Maqedonisë) jemi komunitet i verbërisht i varur nga Facebook-u?! Gjithçka bëjmë në Facebook! “Përshëndetjet e urimet” e mëngjesit, analizat e ngjarjeve të ditës, urimet e ditëlindjeve, dasmat, aktivizmin, shpërndarjen e pyetjeve të provimeve, lutjet për t’i ndihmuar më të pafatët se ne, shkrimet me bollëk, e çka jo!

Por me të dalë nga Facebook-u, përfundon aktivizmi ynë. Përndryshe, jemi komunitet që duron dhe mësohet me çdo status quo që krijohet, harron edhe tragjeditë e padrejtësitë më të mëdha, sapo të shuhet euforia elektronike.

Për disa ditë, e mbushim facebook-un me fotografi profili të Zamirës dhe kaq. Ç’solidarizim! Shkojmë, vizitojmë e dërgojmë me qindra delegacione në Kumanovë, por sa prej tyre vërtet bëjnë diçka, pos fotografimit e fjalëve refren? Në Shipkovicë, shkojmë e heqim dy-tre gurë, sa për të pasur çka të postojmë në mbrëmje! Për të treguar sa engjëj jemi! E mbushim newsfeed-in me fotografinë rrënqethëse të Ajlanit të vogël dhe bombardojmë me vajtime patetike, por nga të gjithë që e vajtojnë vdekjen e tij, sa vërtet kemi ndërmarrë diçka për të bërë ndryshim sado të vogël për fatin tragjik të refugjatëve sirianë?! Kështu, trendi i fundit është bërë shfrytëzimi i tragjedisë së njerëzve për reklamë vetjake, për të bërë nam personal, ndërsa nismat e vërteta për ndryshim pothuajse nuk shihen fare. Të mjerët ne nëse ndërgjegjet tona qetësohen pëlqime e komente! Duke e menduar këtë, më vjen ndërmend një fotografi që kam parë më herët diku: disa aktivistë humanitarë me kuti në dorë shpërndanin ‘like’ për varfërit. Ilustrim më të qëlluar të gjendjes sonë s’mund të gjej.

Dhe përderisa nga njëra anë vajtojmë situatat e mjerueshme nuk na del mendësh të publikojmë gjëra me interes inekzistent për të tjerët! Ja mësuesja e parë e vajzës/djalit tim, çanta e saj e parë, karriga e parë në shkollë! Ja këmbët e mia me rërë, kokteji që po pi, ja 3940568084 fotografitë e dasmës sime që vdisni për t’i parë, ja dhurata që i dashuri/e dashura më ka bërë, dhe ja, e ja, e ja! Budallallëku s’ka brirë, mirë thonë! Nuk mund të dalim nga pezhishka e nevojës për vëmendje, dhe nevojës për t’i treguar botës sa të lumtur e të pabrengët jemi! Për rrjedhojë, ndërtojmë më shumë në botën virtuale, sesa në jetët tona të njëmendëta! Sepse në fund të fundit, një përjetim që nuk nxirret në Facebook, është si të mos jetë përjetuar. E ne, kemi Facebook, prandaj, ekzistojmë!

Në kohë dhimbjesh të përbashkëta, mblidhemi si mizat pas mjaltit, bashkndjejmë, bashklotojmë, hedhim grumbuj fjalësh, idesh, fotografish, linqesh, në një kosh të përbashkët (ku secili shton diçka e askush nuk sheh ç’ka brenda) .. dhe në fund të ditës, përsëri tretemi – pikë e pesë! Në kohë nevoje për veprim të përbashkët, ndahemi në pafund grupe e mendime, dhe s’ka kush na bie në fije, e ta gjejë formulën për t’i bërë mendjet tona bashkë. Assesi nuk mund të kalojmë nga të thënët në të bërë!

Vërtetë që përballemi me mjaft vështirësi e pengesa, thuajse çdokund, por pengesa kyçe e jona është mungesa e entuziazmit dhe zellit për të ndërmarrë veprim të njëmendët deri diku, e deri diku edhe nevoja për të qenë çdoherë vetë në krye të vendit. E këtë, lavdi Markut, na e mundëson vetëm Facebook-u. Sepse, në mejdan veprimi nuk postohet vetjakisht, mund të ketë nevojë të “bëjmë like” gjëra që s’na shkojnë për qejf, e të hyjmë në grupe me njerëz që s’pajtohemi çdoherë! Prandaj, më mirë i qëndrojmë besnikë aktivizmit fejsbukian! Edhe aktiv, edhe kryet rehat. Si thotë një proverbë, “nderi n’ven, dashi ndër dhen”.

Më sillet në mendje vargu Kur’anor në të cilin Zoti përshkruan veprimtarët e sinqertë: “Ju jeni populli më i dobishëm i ardhur për njerëzimin. Urdhëroni për të mirë dhe ndaloni nga e keqja!” Për ne, do të përshtatej një version i modifikuar i këtij përshkrimi: “Ju bëheni popull i padobishëm, i ardhur për veten tuaj! Urdhëroni për të mirë, dhe ndaloni nga e keqja.. në facebook!”

Leave a Comment